Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të zhvillojnë nesër një takim në margjinat e samitit të vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
Takimi mes dy zyrtarëve të lartë vjen pas sinjaleve të mëparshme se të dyja palët janë të hapura për një bisedë direkte. Lavrov ka konfirmuar se do të takohet me homologun e tij amerikan, duke bërë të ditur se tema kryesore e diskutimit do të jetë lufta në Ukrainë.
Pas ardhjes së Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, dialogu mes Uashingtonit dhe Moskës ishte intensifikuar, por gjatë muajve të fundit nuk ka pasur takime të hapura mes zyrtarëve të lartë të dy vendeve.
Ndërkohë, qëndrimi i administratës amerikane ndaj luftës në Ukrainë ka pësuar disa ndryshime. Trump ka mbështetur miratimin e një ligji në Kongresin amerikan për masa më të ashpra sanksionuese ndaj Rusisë, ndërsa ka shfaqur gjithashtu mbështetje më të hapur për Ukrainën, pasi më herët kishte kritikuar udhëheqjen e saj.
Takimi mes Lavrovit dhe Rubios pritet të shihet si një sinjal i rëndësishëm për marrëdhëniet e tensionuara mes dy fuqive dhe për përpjekjet diplomatike lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë.




