Kryetari i GO+ Peja, Fatmir Gashi, ka bërë të ditur se kuvendi zgjedhor i klubit do të mbahet në qershor, pas përfundimit të edicionit garues, duke theksuar se procesi do të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë shqetësim.
Sipas Gashit, drejtuesit aktualë do të vazhdojnë punën deri në përmbylljen e edicionit, pasi klubi ka obligime ndaj sponsorëve që duhet të përmbushen. Ai ka sqaruar se kuvendi fillimisht ishte paraparë të mbahej në janar, por është shtyrë për shkak se mbajtja e tij në mes të kampionatit nuk do të ishte e rregullt.
“Pas përfundimit të edicionit do të mbahet kuvendi zgjedhor, ku do të dalin kandidatët dhe do të zgjidhen organet e reja të klubit,” ka deklaruar Gashi.
Ai ka shtuar se deri në qershor ka kohë të mjaftueshme që të gjithë të interesuarit të përgatiten dhe se nuk ka arsye për tensione apo keqkuptime. Gashi ka theksuar se personalisht nuk është më i interesuar për të vazhduar në këtë pozitë dhe se procesi i ndërrimit do të ndodhë pa probleme.
Në lidhje me rezultatet sportive, Gashi ka pranuar se ka pakënaqësi, por ka theksuar se sporti ka ulje dhe ngritje, duke kërkuar më shumë mirëkuptim dhe durim nga të gjithë akterët.
Në fund, kryetari i GO+ Peja ka paralajmëruar edhe dy deri në tre përforcime gjatë javës, me synimin për të përmirësuar paraqitjet e ekipit në vazhdim të kampionatit.




