Ballina > Politikë > Kurti s’jep sinjale për përafrim qëndrimesh për presidentin

Kurti s’jep sinjale për përafrim qëndrimesh për presidentin

15 Apr 2026 Politikë

“Kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, ka thënë kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për komunikimet me liderët e partive opozitare dhe çështjen e presidentit.

Pas tryezës “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”, Kurti ka thënë se është në komunikim me kryetarët e partive opozitare.

Kosova ka hyrë në dy javët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet një president, vendi shkon detyrimisht në zgjedhje brenda 45 ditësh.

Kurti ka pasur takime me kryetarët e partive para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa pas vendimit vetëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Abdixhiku ka refuzuar opsionin që VV-ja të marrë të tria postet kryesore në shtet.

Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar takime pa një kërkesë të shkruar nga Kurti.

Më 5 mars, Vetëvendosje pas dështimit të arritjes së koordinimit me opozitarët, në Kuvend propozoi Glauk Konjufcën e Fatmire Mulhaxhën për president. Votimi nuk nisi në mungesë kuorumi.

Një ditë më pas, presidentja e atëkohshme Vjosa Osmani dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, por dekreti u shpall i pavlefshëm nga Kushtetuesja, pas ankesës së Vetëvendosjes dhe Kurtit.

Të mërkurën, Konjufca u shpreh i gatshëm ta tërheqë kandidaturën, po që se opozita del me emër.

Mandati i presidentes së shkuar, Vjosa Osmani, përfundoi më 4 prill. Nga ajo ditë, shteti është me ushtruese detyre të presidentes, Albulena Haxhiun.

Lini një përgjigje