Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
“Në fundin e mandatit të tij në Republikën e Kosovës, sot prita në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, Jürg Sprecher, të cilin e falënderova për bashkëpunimin e afërt dhe kontributin e çmuar në kultivimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se Zvicra ka qenë një ndër partnerët më të rëndësishëm të Kosovës ndër vite.
“Zvicra mbetet një nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës nga çlirimi, pavarësia e deri te zhvillimi dhe forcimi i institucioneve të Republikës sonë. Mërgata jonë e dashur është themel i lidhjes së fortë mes dy shteteve tona, që gradualisht dhe vazhdueshëm po rrisin bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare, të cilave do t’u japë një hov të ri e të shtuar ratifikimi i marrëveshjes për tregti të lirë – EFTA”, ka theksuar ai.
Kurti shprehu gjithashtu mirënjohje për kontributin e Zvicrës në kuadër të KFOR-it dhe për mbështetjen përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
“Ne jemi mirënjohës për kontributin e Zvicrës në kuadër të KFOR-it dhe programin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në kuadër të të cilit për periudhën e re 2026-2029 janë të zotuara më shumë se 64 milionë CHF për Kosovën, pas 88 milionë CHF për periudhën paraprake 2022-2025”, ka shkruar Kurti.




