Ballina > Bota > Kuba në errësirë totale, ndërprerje masive e energjisë paralizon vendin

Kuba në errësirë totale, ndërprerje masive e energjisë paralizon vendin

22 Mar 2026 Bota

Kuba po përballet sërish me një ndërprerje të plotë të energjisë elektrike në gjithë vendin, duke lënë miliona qytetarë pa rrymë dhe duke thelluar krizën energjetike.

Sipas autoriteteve, kolapsi i rrjetit energjetik është shkaktuar nga defekte në termocentralet kryesore dhe mungesa e theksuar e karburantit.

Situata në terren është e rëndë: ushqimet po prishen për shkak të mungesës së frigoriferëve funksionalë, komunikimi dhe interneti janë ndërprerë, ndërsa shkollat dhe universitetet janë detyruar të pezullojnë mësimin.

Ndërkohë, edhe shërbimet publike janë goditur rëndë, me mbeturina që po grumbullohen në rrugë për shkak të mungesës së karburantit për transport.

Kriza lidhet kryesisht me infrastrukturën e vjetruar energjetike dhe mungesën e furnizimeve me naftë. Kuba prodhon vetëm rreth 40% të nevojave të saj për karburant dhe nuk ka marrë furnizime nga jashtë prej muajsh.

Gjendja është përkeqësuar edhe pas ndërprerjes së furnizimeve nga Venezuela, dikur furnizuesi kryesor i naftës për vendin, si dhe për shkak të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Autoritetet kanë nisur përpjekjet për rikthimin gradual të energjisë, por paralajmërohet se ndërprerjet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Lini një përgjigje