Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka kaluar natën e pragut të 1 Majit duke punuar si dërgues i produkteve të furrës, në një shenjë solidariteti me punëtorët e vendit të tij. Ai ka ndarë në rrjetet sociale pamje ku shihet duke shpërndarë bukë dhe pasta në dyqane dhe spitale anembanë Sllovakisë, raporton Klix.ba.
Në videon e publikuar në Facebook, kreu i qeverisë sllovake shihet në orët e para të mëngjesit duke ngarkuar dhe shkarkuar kamionin e dërgesave, si dhe duke furnizuar klientët me shumicë në qytetin Nová Dubnica.
“Dua t’ju përshëndes nga ndërrimi im i natës. Sapo dorëzuam bukën dhe pastat e freskëta”, ka mesazhuar Fico përgjatë videos.
Mesazhi për Ditën e Punës
Kryeministri sllovak ka theksuar edhe më parë se është rritur në një familje punëtore dhe përmes këtyre lëvizjeve dëshiron të tregojë respekt për punën dhe punëtorët. Ai shtoi se prej disa vitesh merr pjesë periodikisht në ndërrime nate, pikërisht në prag të 1 Majit.
Pas përfundimit të punës, ai deklaroi se misioni u krye me sukses, duke vënë theksin te rëndësia e punës manuale: “U krye. Ndërrimi i natës mbeti pas meje. Jam krenar që kryej punën time për njerëzit sa më mirë që mundem”, u shpreh kryeministri.






