Kryefamiljarja e familjes Kardashian, Kris Jenner, ka sqaruar përfundimisht thashethemet rreth rënies së saj nga pesha. Ndonëse pranon se e ka provuar medikamentin e famshëm Ozempic, ajo tregon se përvoja ishte e tmerrshme për trupin e saj.
Në një episod të fundit të podcast-it SheMD, 70-vjeçarja tregoi se e provoi medikamentin e grupit GLP-1 kohë më parë, kur ende nuk ishte bërë trend botëror, por efektet anësore ishin të papërballueshme.
“Nuk mund të punoja dot më”
Kris kujton momentin kur u detyrua të ndërpriste përdorimin:
“E provova një herë dhe u ndjeva shumë keq. Telefonova mjeken time dhe i thashë: ‘Nuk mund të punoj më. Nuk mundem, ndihem tmerrësisht e sëmurë’. Kisha përzierje të vazhdueshme.”
Sekreti i ri: Injeksionet me peptide dhe suplementet
Pas dështimit me Ozempic, Kris Jenner dhe mjekja e saj, Dr. Thais Aliabadi, hulumtuan opsione të tjera. Zgjidhja për të rezultoi të ishte një kombinim i injeksioneve me peptide (të cilat ndryshojnë nga GLP-1) dhe suplementeve specifike ushqimore.
Ky ndryshim jo vetëm që e ndihmoi me peshën, por i dha edhe energjinë që i mungonte. “Më ndryshoi gjithçka. Tani kam më shumë energji në mbrëmje, gjë që është e rrallë për mua pasi zgjohem shumë herët,” shpjegoi ajo, duke shtuar se ky regjim ka përmirësuar edhe lëkurën, flokët dhe thonjtë e saj.
Rëndësia e hormoneve pas moshës 45-vjeçare
Përveç peptideve, Kris theksoi se çelësi i shëndetit të saj është monitorimi i rreptë i hormoneve. Ajo bën analiza gjaku çdo tre muaj për të mbajtur ekuilibrin hormonal.
“Pas moshës 45-vjeçare, kuptova se sa e rëndësishme është kjo për shëndetin fizik të gruas, por edhe të burrit. Unë e nxis edhe djalin tim (Rob) që të kontrollojë hormonet. Kur shikon gjëndrën tiroide dhe shëndetin hormonal, kupton saktësisht se çfarë i duhet trupit tënd,” përfundoi ajo.






