Ballina > Politikë > KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pritet faza e certifikimit

KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pritet faza e certifikimit

31 Jan 2026 Politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025, duke përmbyllur procesin e rinumërimit dhe verifikimit të të gjitha votave të vlefshme në nivel vendi.

Sipas të dhënave zyrtare, subjekti politik që ka dalë i pari në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendisje ka siguruar 51.10 për qind të votave, duke fituar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, çka i garanton shumicën më të madhe parlamentare në legjislaturën e ardhshme.

Në vend të dytë është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.19 për qind të votave, duke siguruar 22 ulëse deputetësh, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.24 për qind, që i përkthehen në 15 ulëse në Kuvend.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 6 ulëse, ndërsa ulëset e mbetura u takojnë subjekteve politike të komuniteteve jo-shumicë, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë.

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet janë shpallur përfundimtare pas përfundimit të rinumërimit të votave të rregullta, votave me kusht, votave nga diaspora dhe atyre me postë. Megjithatë, rezultatet ende nuk janë certifikuar zyrtarisht.

Procesi i certifikimit do të realizohet vetëm pas përfundimit të afateve ligjore për ankesa dhe shqyrtimit të tyre nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Vetëm pas këtij hapi, rezultatet do të marrin formën e vendimit përfundimtar juridik.

Pas certifikimit të rezultateve, pritet që të thirret seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e rinj do të bëjnë betimin dhe do të nisin procedurat për formimin e institucioneve të reja të vendit.

KQZ ka theksuar se i gjithë procesi zgjedhor është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike, ndërsa çdo veprim i mëtejmë do të ndërmerret vetëm pas përmbylljes së plotë të procedurave ligjore.

Lini një përgjigje