Ballina > Vendi > Komuna prezanton sistemin e ri digjital për administrimin e lëndëve financiare

Komuna prezanton sistemin e ri digjital për administrimin e lëndëve financiare

22 Apr 2026 Vendi

Në Komunën e Pejës është prezantuar sistemi i ri digjital për menaxhimin e lëndëve të brendshme, i cili synon të rrisë transparencën dhe efikasitetin në proceset administrative.

Drejtoresha e Drejtorisë për Administratë, Nita Panduri-Mullarama, bëri të ditur se projekti është realizuar pa asnjë kosto shtesë për komunën, në bashkëpunim me zyrtarin Avni Hajrizin.

Sipas saj, sistemi i ri mundëson ndjekjen në kohë reale të procedurave të pagesave ndaj operatorëve, si dhe digjitalizimin e plotë të lëndëve, duke eliminuar procedurat burokratike dhe përdorimin e dokumenteve fizike.

“Trajtimi i lëndëve bëhet sipas rendit kronologjik të pranimit, duke garantuar drejtësi dhe duke shmangur çdo formë të prioritizimit subjektiv. Po ashtu, sigurohet gjurmueshmëri e plotë e çdo veprimi dhe qasje e drejtpërdrejtë për të gjitha drejtoritë,” theksoi ajo.

Tutje, u bë e ditur se databaza është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përfshin integrimin e buxhetit komunal, duke mundësuar kontroll më të madh financiar dhe parandalimin e obligimeve pa mbulim buxhetor.

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të administratës komunale dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve./radiopeja/

Lini një përgjigje