Pejë – Komuna e Pejës ka hapur dy pika të reja të Urgjencës, në Bogë të Rugovës dhe në Vitomiricë, duke afruar ndihmën mjekësore më pranë qytetarëve dhe duke zgjeruar rrjetin e shërbimeve shëndetësore emergjente.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe Drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.

Njësia e Urgjencës në Bogë do të ofrojë shërbime për banorët e Rugovës dhe fshatrave përreth, duke punuar 7 ditë në javë, nga ora 08:00 deri në 18:00. Ndërsa pika në Vitomiricë do të mbulojë vendbanime si Ozdrimi, Dubova, Novosella, Jabllanica e të tjera, me orar nga ora 07:00 deri në 19:00.
Të dyja njësitë janë të pajisura me staf profesional dhe infrastrukturë të nevojshme për ndihmën e parë, stabilizimin e pacientëve dhe referimin e tyre në institucionet përkatëse shëndetësore.
Komuna e Pejës thekson se hapja e këtyre pikave është pjesë e angazhimit për përmirësimin e shërbimeve publike dhe garantimin e qasjes së barabartë në kujdes shëndetësor për të gjitha komunitetet.






