Faik Zekaj është emëruar sot shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Zekaj përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur mirënjohje për besimin e dhënë dhe ka theksuar përgjegjësinë që e shoqëron këtë detyrë të re.
Zekaj, i cili deri më tani ka shërbyer si Këshilltar për Media i Kryetarit Muhaxheri, e ka cilësuar emërimin si nder dhe përgjegjësi, duke theksuar se drejtimi i Kabinetit nuk është vetëm një objektiv profesional, por një mision politik për të shërbyer me përkushtim ndaj qytetarëve të Pejës.
Në postimin e tij, ai ka vënë në pah se qytetarët e Komunës së Pejës janë forca dhe dinjiteti i tij, duke shtuar se së bashku do të ecin drejt projekteve të ardhshme në shërbim të komunës.
“Me përulësi, ecim së bashku drejt projekteve të ardhshme për Komunën tonë”, ka shkruar Zekaj, duke e përmbyllur reagimin me një mesazh mirënjohjeje.
Emërimi i Zekajt vjen në kuadër të riorganizimeve brenda administratës komunale të Pejës, me synimin e forcimit të bashkëpunimit institucional dhe avancimit të projekteve zhvillimore.





