Ballina > Sport > Komiteti Olimpik i Kosovës shpall laureatët e vitit 2025: Distria Krasniqi, Akil Gjakova dhe Driton Kuka në krye

Komiteti Olimpik i Kosovës shpall laureatët e vitit 2025: Distria Krasniqi, Akil Gjakova dhe Driton Kuka në krye

21 Feb 2026 Sport

Komiteti Olimpik i Kosovës ka shpallur zyrtarisht laureatët e vitit 2025 në një ceremoni solemne, ku u vlerësuan sportistët, trajnerët dhe ekipet që shënuan suksese të jashtëzakonshme gjatë vitit.

Titulli Sportistja e Vitit 2025 i është ndarë xhudistes Distria Krasniqi, për arritjet e saj të mëdha dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, Sportisti i Vitit është shpallur xhudisti Akil Gjakova, i cili gjatë vitit ka dëshmuar formë të lartë dhe rezultate të rëndësishme në garat elitare.

Çmimi Trajneri i Vitit 2025 i ka takuar legjendës së xhudos kosovare, Driton Kuka, arkitektit të sukseseve historike të këtij sporti dhe njeriut kyç pas formimit të kampionëve olimpikë e botërorë.

Në këtë event, Çmimi për arritje të veçantë i është nda xhudistes Nora Gjakova, Çmimi Special iu nda xhudistes Laura Fazliu, si vlerësim për progresin, paraqitjet mbresëlënëse dhe kontributin e saj në ngritjen e vazhdueshme të xhudos kosovare.

Përveç këtyre çmimeve kryesore, Komiteti Olimpik i Kosovës ka ndarë edhe mirënjohje dhe çmime të tjera në kategori të ndryshme, duke përfshirë shpresën olimpike, ekipe të dalluara, trajnerë, si dhe personalitete që kanë kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e sportit në Kosovë gjatë vitit 2025.

Kjo ceremoni edhe një herë konfirmoi dominimin e xhudos në sportin kosovar, por edhe angazhimin e KOK-ut për të vlerësuar punën, sakrificën dhe suksesin e sportistëve tanë në çdo disiplinë.

Lini një përgjigje