Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Brandon Williams, ka folur hapur për aksidentin e rëndë automobilistik të vitit 2023 dhe periudhën e vështirë që pasoi, duke e çuar karrierën e tij deri në një dënim me burgim me kusht.
Williams, 25 vjeç, dikur konsiderohej një prej talenteve më premtuese të Manchester Unitedit. Ai zhvilloi 51 ndeshje për klubin nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaer, por pas ardhjes së Erik ten Hag humbi vendin në skuadër, ndërsa në të njëjtën kohë u përball me probleme personale.

Në maj të vitit 2025, anglezi u dënua me 14 muaj burgim me kusht, pasi në vitin 2023 kishte përplasur Audi A3 të tij në autostradën A34 në Cheshire, duke udhëtuar me rreth 160 kilometra në orë.
Gjatë gjykimit u diskutua edhe përdorimi i oksidit të azotit, i njohur si “gazi i të qeshurit”, megjithëse u konstatua se Williams nuk ishte nën ndikimin e kësaj substance në momentin e aksidentit.
Duke folur për “The Athletic”, Williams pranoi se ajo periudhë e ka ndryshuar dhe pjekur si person.
“Për shkak të kësaj jam pjekur si person dhe e kuptova se kjo është jeta reale, jo GTA apo diçka e tillë”, deklaroi ai.
“Kur e shikoj veten tani, mendoj: Çfarë idioti kam qenë”, shtoi ish-futbollisti i Unitedit.
Pas huazimeve të pasuksesshme te Norwich dhe Ipswich, si dhe një periudhe të shkurtër te Hull, që përfundoi me ndërprerjen e kontratës në shkurt, Williams mbeti për 20 muaj pa zhvilluar një ndeshje zyrtare.
Tani ai po përpiqet ta ringjallë karrierën te Rotherham United, klub që garon në kategorinë e katërt të futbollit anglez. Williams po stërvitet me skuadrën dhe synon të bindë trajnerët për t’i ofruar kontratë.
Ai gjithashtu ka luajtur disa minuta në një ndeshje miqësore ndaj Parkgate, duke tentuar të tregojë se problemet fizike dhe periudha e trazuar i përkasin së kaluarës.
“Për të qenë i sinqertë, kam zhgënjyer shumë njerëz dhe dua t’u dëshmoj shumë prej tyre se kanë gabuar”, tha Williams.
Trajneri i Rotherhamit, Alex Bruce, konfirmoi se klubi po i jep një mundësi futbollistit që ka luajtur në nivelin më të lartë, por theksoi se prioritet është rikthimi i tij në gjendjen optimale fizike.
“Do të vazhdojë të stërvitet dhe do ta vëzhgojmë nga afër”, deklaroi Bruce për të ardhmen e Williamsit.




