Ballina > Sport > Formula 1 do të shtojë garat Sprint nga viti 2027

Formula 1 do të shtojë garat Sprint nga viti 2027

09 Aug 2026 Sport

Drejtori ekzekutiv i Formula 1, Stefano Domenicali, ka bërë të ditur se formati i garave Sprint pritet të zgjerohet në më shumë pista nga sezoni i ardhshëm.

Aktualisht, gjatë një sezoni zhvillohen gjashtë gara Sprint, të cilat ndryshojnë strukturën e zakonshme të fundjavës së garës. Megjithatë, pritet që numri i tyre të rritet në vitin 2027.

Domenicali ka folur më herët për interesimin e organizatorëve për të qenë nikoqirë të garave Sprint. Ky format përfshin vetëm një seancë të lirë stërvitore të premten, para kualifikimeve për Sprintin më vonë gjatë ditës.

Gara Sprint, e gjatë 100 kilometra, zhvillohet të shtunën dhe përbën rreth një të tretën e distancës së një gare të zakonshme. Pas Sprintit, skuadrat lejohen të bëjnë ndryshime në makinat e tyre para kualifikimeve për Çmimin e Madh, të cilat zhvillohen më vonë të shtunën. Gara kryesore zhvillohet të dielën.

Pilotët dhe skuadrat shpesh theksojnë intensitetin më të madh të fundjavave me Sprint, pasi aktiviteti garues nis pas vetëm një ore stërvitje, duke i futur menjëherë të gjithë në konkurrencë.

Domenicali kishte lënë të kuptohej që në korrik se numri i garave Sprint mund të rritej, duke u bërë thirrje tifozëve që ta “ndjekin situatën” lidhur me ndryshimet e mundshme në kalendar.

Tani ai ka dhënë sinjale edhe më të qarta për rritjen e numrit të garave Sprint gjatë diskutimit mbi rezultatet financiare të kompanisë Liberty Media për gjysmën e parë të vitit.

“Formati ynë Sprint vazhdon të sjellë më shumë spektatorë të premteve dhe një pjesëmarrje më të madhe gjatë ditëve të fundjavës së garës. Suksesi i formatit Sprint po rrit interesimin e organizatorëve për të zhvilluar këto gara dhe ne presim që numri i tyre të rritet vitin e ardhshëm”, tha Domenicali.

I pyetur për numrin e ardhshëm të garave Sprint, Domenicali la të kuptohet se ato nuk do të zhvillohen në çdo fundjavë, pasi dëshiron që organizimi i një gare të tillë të mbetet një vlerë shtesë për organizatorët.

“Është një mundësi për ne që të lidhim marrëveshje të reja, siç kemi parë tashmë. Duam ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur, sepse nëse do ta ofronim kudo, nuk do të kishte më të njëjtën vlerë nga pikëpamja komerciale. Por, padyshim, në të ardhmen do ta rrisim numrin. Kjo është 1,000 për qind ajo që do të ndodhë që vitin e ardhshëm”, përfundoi Domenicali.

Lini një përgjigje