Zëdhënësi i Shtabit Qendror të ushtrisë iraniane, Ebrahim Zolfaghari, iu rikthye edhe një herë deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për negociatat me Iranin, duke theksuar se nuk po zhvillohen asnjë negociata.
Në një adresim drejtuar kombit, të transmetuar në televizionin shtetëror, Zolfaghari deklaroi se Amerika ka pësuar dështim në këtë konflikt.
“Fuqia strategjike për të cilën flisnit është shndërruar në dështim strategjik. Ai që pretendon se është superfuqi globale do të ishte tërhequr nga kjo situatë po të kishte mundur. Mos e paraqisni humbjen tuaj si marrëveshje. Koha e premtimeve boshe ka përfunduar”, u shpreh ai.
Më pas ai u ndal edhe te çështja e negociatave, duke konfirmuar se nuk ka asnjë proces të tillë në zhvillim.
“A kanë arritur përçarjet tuaja të brendshme deri në atë pikë sa po negocioni me veten?”, shtoi ai.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, Zolfaghari deklaroi gjithashtu se nuk do të ketë kthim te çmimet e mëparshme të naftës dhe as te rendi i mëparshëm, derisa të zbatohet vullneti i Iranit.
“Kjo do të ndodhë vetëm kur mendimi për të ndërmarrë veprime kundër popullit iranian të zhduket plotësisht nga mendjet tuaja. Fjalët tona të para dhe të fundit kanë qenë, janë dhe do të mbeten të njëjta. Askush si ne nuk do të pajtohet me dikë si ju – as tani, as kurrë”, përfundoi ai.





