Nga nëntori i vitit 1972 deri në shkurt të vitit 1973, për shkak të masave kombëtare të kursimit, shoferët danezë u detyruan t’i linin makinat e tyre të parkuara gjatë 11 të dielave. Për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të karburanteve në gjithë Skandinavinë, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, qytetarët po frikësohen nga kufizime të ngjashme dhe çmime rekord.
Megjithëse çmimi i benzinës pa plumb 95 mund të arrijë së shpejti në 2.30 euro, ministri danez i energjisë, Lars Aagaard, vlerëson se ende nuk është koha për masa emergjente dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të tij: “Nëse e ulni pak presionin në gaz, do ta ulni edhe presionin në xhep. Nuk ka kuptim të ulen taksat për diçka që gjithsesi duhet ta konsumojmë më pak.”
Danimarka kishte vendosur që para një jave të nxirrte gradualisht në treg rreth 1.24 milionë fuçi naftë nga rezervat e saj shtetërore. Bëhet fjalë për një sasi nafte që zakonisht konsumohet në të gjithë vendin brenda dy javësh. Megjithatë, çmimet e karburanteve në pompa kanë vazhduar të rriten. Sidoqoftë, për momentin nuk ka mungesë dhe furnizimi nuk është ndërprerë.
“Kemi rezerva për rreth 80 ditë konsum. Aktualisht, situata e furnizimit në Evropë është stabile, nuk ka mungesë karburanti, por të gjithë jemi të goditur nga çmimet e larta”, tha ministri danez i energjisë, Lars Aagaard, për radiotelevizionin publik danez, duke ofruar edhe disa këshilla praktike, si: të udhëtoni bashkë për në punë ose t’i kërkoni punëdhënësit të punoni nga shtëpia.





