Më 4, 5 dhe 6 shtator, Rahoveci do të jetë nikoqir i Hardh Fest 2026, një prej ngjarjeve më të veçanta që ndërthur traditën e vreshtarisë, verën, gastronominë, kulturën, aktivitetet rekreative dhe muzikën.
Festivali do të sjellë për tri ditë një program të pasur me aktivitete për të gjitha moshat, duke nisur nga turnetë në vreshta e panairet e verës, deri te koncertet dhe aktivitetet kulturore.
Dita e parë – 4 shtator
Programi nis në ora 11:00 me Karnavalin Vreshtar dhe Hardh Treni Tour, ndërsa në ora 11:45 zhvillohet ceremonia e prerjes së kallaveshit të rrushit.
Në vijim janë paraparë Hardh Cut, ceremonia e hapjes së festës së vjeljes së rrushit, shpallja e vreshtarëve dhe verëtarëve më të mirë, si dhe Hardh Panaiiri, me ekspozim të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë.
Në ora 16:00 mbahet Hardh TALK, me temën “Rahoveci 2030. Nga Tradita drejt një destinacioni Ndërkombëtar të Turizmit të Verës”, ndërsa mbrëmja vazhdon me aktivitete gastronomike, Hardh Eks dhe Hardh Koncert, deri në orët e para të mëngjesit.
Dita e dytë – 5 shtator
Dita e dytë nis në ora 08:00 me Hardh GREEN, aktivitet mjedisor me moton “Pastrimi i Konakut”.
Gjatë ditës do të zhvillohen panairi, Hardh Treni Tour, Hardh Promo DJ, Hardh Kids, Hardh Sprint, garat tradicionale të shtrydhjes së rrushit dhe Hardh Tour.
Mbrëmja sjell përsëri Hardh Eks dhe Hardh Koncert, me program që vazhdon deri në ora 01:00.
Dita e tretë – 6 shtator
Edhe dita e fundit nis me aktivitetin mjedisor Hardh GREEN, ndërsa programi vazhdon me panairin, Hardh Treni Tour, Hardh Kids dhe Hardh Bike Tour.
Në orët e pasdites janë paraparë Hardh Tour, mbretëresha e rrushit, Hardh Ora Poetike “Xhevdet Bajraj”, Hardh Expo dhe Hardh Eks.
Festivali përmbyllet me Hardh Koncert, i cili nis në ora 20:00.
Hardh Fest 2026 pritet ta kthejë Rahovecin në një pikë të rëndësishme të turizmit kulturor dhe të verës në Kosovë, duke bashkuar traditën e vjeljes së rrushit me muzikën, gastronominë, verën, aktivitetet sportive dhe promovimin e trashëgimisë së Rahovecit.
Rahovec, 4–6 shtator 2026 – tri ditë festë, traditë dhe verë.





