Stafi arsimor i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pavarësia” në Prishtinë ka mbajtur sot një grevë dyorëshe, si shenjë proteste ndaj, siç thonë ata, sjelljeve problematike të disa nxënësve dhe mungesës së mbrojtjes institucionale për mësimdhënësit. Reagimi vjen një ditë pas arrestimit të një mësimdhënësi të kësaj shkolle, i dyshuar për ushtrim dhune ndaj një nxënësi.
Kolektivi i mësimdhënësve thekson se pamjet e publikuara në rrjete sociale paraqesin vetëm fundin e incidentit dhe, sipas tyre, nuk e pasqyrojnë tërësinë e ngjarjes dhe rrethanat që i kanë paraprirë asaj.
Përfaqësuesi i shoqatës sindikale në këtë shkollë, Ardit Ukaj, ka deklaruar se dhuna nuk mund dhe nuk duhet të ketë vend në institucionet arsimore, duke theksuar se protesta nuk ka për qëllim arsyetimin apo mbrojtjen e asnjë akti të dhunshëm.
“Si shoqatë sindikale jemi kategorikisht kundër çdo forme të dhunës, fizike apo verbale. Kjo grevë nuk organizohet për të justifikuar dhunën, por si reagim ndaj rasteve të shpeshta të fyerjeve, ofendimeve dhe cenimit të dinjitetit të mësimdhënësve, që po e vënë në rrezik sigurinë dhe procesin edukativo-arsimor”, ka deklaruar Ukaj.
Ai ka shtuar se sistemi aktual ligjor dhe mekanizmat disiplinorë nuk po ofrojnë zgjidhje efektive në rastet kur mësimdhënësit përballen me sulme apo sjellje fyese nga nxënësit, duke krijuar ndjenjë pasigurie dhe mungesë mbështetjeje për stafin arsimor.
Sipas tij, kjo nuk është një çështje e izoluar vetëm në SHFMU “Pavarësia”, por një fenomen që po shfaqet edhe në shkolla të tjera të vendit. Për këtë arsye, ai ka kërkuar një qasje më serioze dhe të koordinuar nga institucionet përgjegjëse, si dhe masa konkrete, të qarta dhe të zbatueshme për garantimin e rendit dhe mbrojtjen e mësimdhënësve në shkolla.




