Ballina > Vendi > Gjykata shpall të pafajshëm arsimtarin Muhamed Hajredinaj për rastin e përdhosjes së simboleve kombëtar

Gjykata shpall të pafajshëm arsimtarin Muhamed Hajredinaj për rastin e përdhosjes së simboleve kombëtar

10 Feb 2026 Vendi

Gjykata ka liruar nga akuza profesorin Muhamed Hajredinaj, i cili ishte duke u gjykuar nën dyshimin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Vendimi është shpallur sot, duke e shpallur të pafajshëm të akuzuarin.

Hajredinaj ishte përballur me akuzë pas një incidenti që kishte ndodhur në ambientet e një shkolle, ku ai dyshohej se kishte hedhur në mbeturina flamurin kombëtar dhe plisin. Rasti kishte nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe debat të gjerë për shkak të ndjeshmërisë që mbartin simbolet kombëtare.

Gjatë procesit gjyqësor, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa mbrojtja kishte theksuar se veprimet e tij nuk kishin për qëllim nxitjen e urrejtjes apo përçarjes, por ishin interpretuar gabimisht në publik.

Me shpalljen e aktgjykimit lirues, gjykata ka vlerësuar se provat e paraqitura nuk kanë qenë të mjaftueshme për të vërtetuar kryerjen e veprës penale për të cilën Hajredinaj ishte akuzuar, duke e mbyllur kështu këtë çështje në shkallën e parë.

Rasti kishte marrë vëmendje të madhe mediatike dhe shoqërore, ndërsa vendimi i sotëm pritet të ndikojë në diskutimet publike rreth trajtimit të simboleve kombëtare dhe përgjegjësisë institucionale në sistemin arsimor.

Lini një përgjigje