Atletja pejane Gresa Bakraqi ka arritur një sukses të madh ndërkombëtar, duke fituar vendin e dytë në European Championships Challenger që u mbajt në Monaco.
Lajmin e ka bërë të ditur Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Pejës, e cila ka përgëzuar sportisten për paraqitjen e saj të jashtëzakonshme në mesin e atletëve më të mirë të Evropës.
Sipas njoftimit, Bakraqi u ngjit në podium duke siguruar medaljen e argjendtë, ndërsa ishte e vetmja pjesëtare e përfaqësueses së Kosovës që u kthye nga ky kampionat me medalje.
“Gresa kthehet me medalje, duke e përqafuar me krenari flamurin e Republikës së Kosovës dhe duke na bërë të gjithëve krenarë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.
Ky rezultat vlerësohet si një arritje e rëndësishme për sportin pejan dhe atë kosovar, duke dëshmuar talentin, përkushtimin dhe punën e palodhur të sportistes.
Suksesi i Gresa Bakraqit vjen si një tjetër dëshmi e potencialit të madh që kanë sportistët nga Peja në arenën ndërkombëtare, duke e përfaqësuar denjësisht Kosovën në garat evropiane.




