Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka nisur më 6 maj dhe përfundon sot, më 17 maj 2026.
Sipas të dhënave të publikuara deri më 17 maj, ora 10:00, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar gjithsej 117,246 kërkesa për regjistrim.
Prej tyre, 99,498 aplikime janë aprovuar, 7,621 janë refuzuar, ndërsa 10,059 janë ende në shqyrtim.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Telegrafin se nga aplikimet e aprovuara, 22,955 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, ndërsa 2,590 janë regjistruar për të votuar përmes kutisë postare të KQZ-së në Kosovë.
“Po ashtu, 73,953 votues janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, ka thënë ai.
Elezi ka bërë të ditur edhe shpërndarjen sipas shteteve, ku numrin më të madh të të regjistruarve e ka Gjermania me 49,102 votues, e ndjekur nga Zvicra me 23,456, Franca me 4,193, Suedia me 3,750, Austria me 3,165, Mbretëria e Bashkuar me 2,370, Italia me 2,206, SHBA me 2,070, Belgjika me 2,024, Sllovenia me 1,400, Norvegjia me 1,154 dhe Finlanda me 1,010.





