Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në një takim zyrtar Ministrin e Zhvillimit Rajonal, Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të në Qeverinë e Malit të Zi, Ernad Suljević, i cili shoqërohej nga një delegacion i lartë institucional.
Pjesë e delegacionit ishin Sekretaret e Shtetit, Mirsada Bošnjak dhe Sehera Kurtagić, Shefja e Kabinetit të Ministrit, Semra Kurpejović, Këshilltari i Ministrit, Emin Kasumović, si dhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Malit të Zi, Fedisa Dacić.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Pejës dhe institucioneve të Malit të Zi, me fokus të veçantë në zhvillimin rajonal, realizimin e projekteve të përbashkëta investuese dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Bashkëbisedimi u përqendrua në identifikimin e fushave konkrete ku dy palët mund të bashkëpunojnë, duke përfshirë iniciativat që synojnë zhvillimin ekonomik lokal, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar komunikimin institucional dhe për të konkretizuar iniciativa të përbashkëta, të cilat do të kontribuonin në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Ky takim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal në funksion të zhvillimit dhe integrimit më të gjerë.





