Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se po përfaqëson Republikën e Kosovës në Javën Botërore të Ujit, një forum ndërkombëtar kushtuar menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore.
Në fjalimin e saj, Pacolli tha se pjesëmarrja në këtë forum është një mundësi për të ndarë përvojat e Kosovës, për të mësuar nga praktikat më të mira ndërkombëtare dhe për të forcuar bashkëpunimin në mbrojtjen e burimeve ujore.
Ajo theksoi se ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe në Kosovë, duke sjellë sfida si thatësirat dhe përmbytjet, ndërsa nënvizoi se menaxhimi i qëndrueshëm i ujit është thelbësor për shëndetin publik, zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë klimatike.
Pacolli bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka miratuar politika për mbrojtjen e korridoreve të lumenjve, promovimin e rrjedhës së lirë të tyre dhe shmangien e ndërhyrjeve të dëmshme. Po ashtu, sipas saj, po punohet për zgjerimin e trajtimit të ujërave të zeza, modernizimin e sistemeve të ujitjes dhe ndërtimin e pesë digave dhe rezervuarëve të rinj të ujit për të rritur kapacitetet përballë periudhave të thatësirës.
Në adresimin e saj, ministrja përmendi edhe tri prioritete kryesore të Kosovës: kalimin më të shpejtë nga planifikimi në zbatim, forcimin e lidhjes mes sigurisë së ujit dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe mbrojtjen e lumenjve përmes qasjeve ekologjike.
Pacolli theksoi gjithashtu se Kosova vazhdon të përballet me pengesa për shkak të mosanëtarësimit në Kombet e Bashkuara, çka e kufizon qasjen në fondet kryesore globale për klimën. Ajo bëri të ditur se Kosova po punon për t’u anëtarësuar në Këshillin Botëror të Ujit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së bashkëpunimit dhe integrimit në komunitetin global të ujit.





