Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se sot është nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ministrinë e Mbrojtjes për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e mjedisit.
Sipas saj, marrëveshja, e nënshkruar së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, parasheh që Forca e Sigurisë së Kosovës të mbështesë aksionet shtetërore me personel, makineri dhe kapacitete logjistike, me synim garantimin e një ambienti më të sigurt dhe më të pastër.

Pacolli theksoi se mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi shtetërore që kërkon angazhim të përbashkët, duke shtuar se ky partneritet dëshmon bashkërendimin e institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e hapësirave publike, rritjen e sigurisë mjedisore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.




