Ballina > Aktualitet > Filharmonia e Kosovës përmbyll sezonin artistik 2025/2026 me koncert kushtuar muzikës amerikane

Filharmonia e Kosovës përmbyll sezonin artistik 2025/2026 me koncert kushtuar muzikës amerikane

10 Jul 2026 Aktualitet

Filharmonia e Kosovës ka përmbyllur sezonin artistik 2025/2026 me një koncert të veçantë, i cili iu kushtua muzikës amerikane dhe shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Freedom 250).

Koncerti u zhvillua nën drejtimin e maestros Toshio Yanagisawa, ndërsa për publikun e Prishtinës u prezantua një program i përzgjedhur me vepra të kompozitorëve të njohur amerikanë dhe shqiptarë.

Në repertor u përfshinë krijime nga George Gershwin, William Grant Still, Valton Beqiri, Leonard Bernstein dhe John Philip Sousa.

Mbrëmja artistike u zhvillua në një atmosferë festive, duke sjellë për publikun një kombinim të muzikës klasike dhe trashëgimisë muzikore amerikane, në kuadër të aktiviteteve për këtë përvjetor.

Në koncert morën pjesë edhe Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, si dhe zëvendësministrja Nora Arapi Krasniqi.

Me këtë koncert, Filharmonia e Kosovës përmbylli një tjetër sezon të suksesshëm artistik, duke vazhduar misionin e saj në promovimin e muzikës cilësore dhe pasurimin e jetës kulturore në vend.

Lini një përgjigje