Ballina > Vendi > Familja e ministrit Elbert Krasniqi fiton kontestin gjyqësor për pengim posedimi, avokati: Akuzat publike ishin të padrejta

Familja e ministrit Elbert Krasniqi fiton kontestin gjyqësor për pengim posedimi, avokati: Akuzat publike ishin të padrejta

21 Jul 2026 Vendi

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur në favor të familjes së ministrit Elbert Krasniqi në një kontest civil për pengim posedimi, duke konstatuar se prona familjare ishte penguar në shfrytëzim.

Rasti kishte marrë vëmendje publike në vitin 2023, pasi fqinji i familjes, Sejdo Berisha, kishte ftuar mediat dhe kishte akuzuar publikisht për uzurpim të rrugës dhe pronës, duke përfshirë në këto pretendime edhe ministrin Elbert Krasniqi, ndonëse, sipas familjes dhe dokumentacionit pronësor, bëhej fjalë për një pronë familjare. Çështja ishte raportuar edhe nga portali “Nacionale” më 28 gusht 2023, duke nxitur reagime në opinionin publik.

Sipas palës fituese, pengesa të ngjashme ndaj pronës janë vendosur sërish edhe gjatë vitit 2024, pavarësisht përpjekjeve të familjes Krasniqi për ta zgjidhur mosmarrëveshjen me mirëkuptim.

Avokati i familjes, Artan Kastrati, deklaroi se aktvendimi i Gjykatës konfirmon se akuzat publike ndaj ministrit Elbert Krasniqi dhe familjarëve të tij kanë qenë të pabazuara.

“Ky vendim dëshmon se sulmet ndaj z. Krasniqi dhe familjes së tij kanë qenë të padrejta. Për fat të keq, ministri ka qenë vazhdimisht objekt i akuzave të orkestruara politike, sidomos në periudha parazgjedhore, edhe pse në këtë rast bëhej fjalë për një kontest privat pronësor. Qëllimi nuk ishte informimi i opinionit publik, por dëmtimi i reputacionit dhe imazhit të tij”, ka deklaruar avokati Kastrati.

Ai theksoi se prona në fjalë figuron në evidencat kadastrale në emër të Ramadan Krasniqit, pronar ligjor i saj, ndërsa ministri Elbert Krasniqi, sipas tij, është përfshirë padrejtësisht në raportimet mediatike, pa bazë juridike.

Sipas avokatit, lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj fqinjit të familjes për veprën penale që lidhet me uzurpimin e pronës, ndërsa në procedurë është edhe një padi për shpifje ndaj të njëjtit.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë i referohet çështjes civile për pengim posedimi, ndërsa procedurat e tjera penale dhe civile të përmendura nga pala mbrojtëse vazhdojnë të zhvillohen në institucionet kompetente.

Lini një përgjigje