Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë të ditur se janë koordinuar angazhimet institucionale për menaxhimin e kësaj periudhe, kur komuna mirëpret një numër të madh të bashkatdhetarëve dhe vizitorëve.
Përmes një njoftimi, Ramosaj ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim koordinues me komandantin e Policisë në Deçan, drejtorin e Shërbimeve Publike, drejtorin për Inspektime, drejtorin e Administratës dhe drejtoreshën për Shëndetësi.
Sipas tij, qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i punëve dhe përgatitja e institucioneve për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve gjatë sezonit veror, kur fluksi i vizitorëve dhe mërgimtarëve rritet ndjeshëm.
“Të gjitha shërbimet komunale dhe institucionale janë në funksion të plotë dhe të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, duke ofruar shërbime cilësore, efikase dhe në kohë”, ka deklaruar Ramosaj.
Ai ka falënderuar të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe përkushtimin në garantimin e rendit, sigurisë dhe mbarëvajtjes së shërbimeve publike.
Kryetari i Deçanit ka theksuar se komuna vazhdon të mbetet një ndër komunat më të qeta dhe më të sigurta në Kosovë, duke ofruar një ambient mikpritës për qytetarët, bashkatdhetarët dhe turistët.
“Deçani vazhdon të mbetet një vend ku secili mund të ndihet i mirëpritur dhe i sigurt”, ka thënë Ramosaj.




