Situata në deponinë e mbeturinave në Sferkë vazhdon të mbetet sfiduese, ndërsa grumbullimi i mbeturinave në Komunën e Pejës po përballet me vështirësi.
Në një deklaratë ekskluzive për INKLIK Media, Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Ambienti” SHA Pejë, Diedon Berisha, ka bërë të ditur se ekipet kanë intervenuar pa ndërprerje me makineritë e kompanisë, në bashkëpunim me operatorin ekonomik dhe me mbështetjen e zjarrfikësve.
Sipas Berishës, situata nga zjarri është vënë nën kontroll dhe aktualisht është e menaxhueshme, megjithëse në zonën e deponisë ende ka smog dhe tym.
Megjithatë, ai zbulon se aktualisht problemi kryesor nuk është më zjarri, por bllokimi i hyrjes në deponi.
“Aktualisht kemi intervenuar pa ndërprerje, si me makineritë tona, ashtu edhe në bashkëpunim me operatorin ekonomik dhe me mbështetjen e zjarrfikësve. Gjendja është e menaxhueshme, megjithëse në zonë ende ka smog dhe tym si pasojë e zjarrit. Ndërkohë, mbeturinat kanë mbetur të bllokuara në makineritë tona, pasi disa banorë kanë bllokuar hyrjen në deponi”, deklaroi Berisha për INKLIK Media.
Ai nuk ka dhënë një afat konkret se kur do të normalizohet plotësisht situata, por ka lënë të kuptohet se kjo do të varet nga zhbllokimi i hyrjes në deponinë e Sferkës, në mënyrë që të rifillojë shkarkimi i mbeturinave dhe të normalizohet procesi i grumbullimit në të gjithë territorin e Komunës së Pejës.




