Dogana e Kosovës ka mbikëqyrur procesin e asgjësimit të mbi 6 mijë maicave, pasi u konstatua se ato cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka nisur më 2 qershor 2026, kur një importues kishte bërë para-deklarimin e një dërgese në Terminalin Doganor në Mitrovicë, pa specifikuar markën tregtare të produkteve.
Pas analizës së riskut, dërgesa u përzgjodh për kontroll të detajuar fizik dhe dokumentar. Gjatë ekzaminimit, zyrtarët doganorë identifikuan elemente që ngritën dyshime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Në vijim të procedurave, Sektori për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës kontaktoi bartësin e së drejtës, i cili konfirmoi se mallrat ishin produkte që cenonin të drejtat e mbrojtura të pronësisë intelektuale.
Në bazë të Ligjit Nr. 06/L-015 për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, Dogana ndaloi lirimin e mallit, inicioi procedurën e kundërvajtjes doganore ndaj importuesit dhe procedurën për asgjësimin e produkteve.
Procesi i asgjësimit u realizua më 8 korrik 2026, nën mbikëqyrjen e Doganës së Kosovës, duke garantuar që produktet të mos qarkullojnë në tregun e Republikës së Kosovës.
Rasti është proceduar si kundërvajtje doganore për shkak të dyshimit për shkelje të dispozitave të nenit 32, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 të Ligjit Nr. 06/L-015.
Dogana e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e tregtisë me mallra të falsifikuara, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, konsumatorëve dhe bizneseve legjitime, si dhe në garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.





