Como ka shkruar histori në javën e fundit të kampionatit italian, duke siguruar një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm, ndërsa Milan dhe Juventus mbetën jashtë katër vendeve të para.
Como ka fituar bindshëm 4:1 në udhëtim ndaj Cremonese, duke vulosur një sukses të madh vetëm dy vjet pasi ishte rikthyer në elitën e futbollit italian. Me këtë fitore dhe falë humbjes së papritur të Milan në shtëpi, skuadra nga Como ka arritur të futet në pozitën e katërt që dërgon në Champions League.
Nga ana tjetër, Cremonese e ka mbyllur sezonin në mënyrën më të keqe të mundshme. Humbja nënkuptoi rënien nga Serie A pas vetëm një sezoni në elitë, duke mbetur jashtë çdo objektivi.
Në Milano, “Rossonerët” kanë pësuar humbje 2:1 ndaj Cagliari në stadiumin “San Siro”, në një ndeshje ku vendasit kishin nevojë për fitore për të garantuar Champions League. Edhe pse kaluan të parët në epërsi, mysafirët e kanë përmbysur rezultatin dhe i lanë “kuqezinjtë” pa objektivin kryesor të sezonit.
Si pasojë, Milani do të luajë në Europa League sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, Juventus nuk ka arritur më shumë se një barazim 2:2 në derbin ndaj Torino, rezultat që e ka lënë ekipin “bardhezi” në vendin e pestë të tabelës. Edhe pse Juventusi ishte në garë për top-katërshen, rezultatet e tjera bënë që skuadra të mbetej jashtë zonës së Champions League. Kësisoji edhe Juventus do të luajë vetëm në Europa League.




