Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi të dielën se vendi i tij nuk ka ndërmend të negociojë për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën.
Ai reagoi ndaj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një tarife prej 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Kanadaja, nëse fqinji verior i SHBA-së vazhdon marrëveshjen tregtare me Pekinin.
Carney tha se marrëveshja e tij e fundit me Kinën vetëm se ul tarifat në disa sektorë që së fundmi ishin goditur nga tarifat doganore.
Kryeministri kanadez theksoi se në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën ekzistojnë obligime që ndalojnë hyrjen në marrëveshje të tregtisë së lirë me ekonomi tregu joliberale pa njoftim paraprak.
“Nuk kemi ndërmend ta bëjmë këtë me Kinën, as me ndonjë ekonomi tjetër tregu joliberale. Ajo që kemi bërë me Kinën është korrigjimi i disa problemeve që janë shfaqur gjatë viteve të fundit”, shtoi ai.
Në vitin 2024, Kanadaja ndoqi veprimin e Shteteve të Bashkuara duke vendosur tarifë prej 100 për qind ndaj automjeteve elektrike nga Kina, si dhe tarifë prej 25 për qind ndaj çelikut dhe aluminit. Kina u kundërpërgjigj duke vendosur taksa importi prej 100 për qind ndaj vajit kanadez dhe mbetjeve të farës së rapit, si dhe 25 për qind ndaj mishit të derrit dhe prodhimeve të detit.
Duke u distancuar nga Shtetet e Bashkuara këtë muaj gjatë një vizite në Kinë, Carney uli tarifën kanadeze prej 100 për qind ndaj automjeteve elektrike kineze, në këmbim të tarifave më të ulëta për këto produkte kanadeze.





