Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Beke Berisha, ka bërë homazhe te varri i heroit të kombit, Bekim Berisha – Abeja, duke vlerësuar lart figurën dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha theksoi se vepra e “Abesë” vazhdon të jetë burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët, edhe dekada pas rënies së tij heroike. Ai u shpreh se Bekim Berisha ishte një nga ata burra që jetën e tij ia kushtoi tërësisht idealit të lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
“Ka njerëz që edhe pas shumë vitesh vazhdojnë me frymëzu një komb të tërë. Abeja ishte prej atyre burrave që nuk jetoi vetëm për vete, por për idealin e lirisë dhe dinjitetit të Kosovës. Para veprës së tij, fjalët janë të vogla”, ka shkruar ai.
Në përfundim, Berisha dha mesazhin e lavdisë së përjetshme për heroin Bekim Berisha dhe të gjithë dëshmorët që ranë për lirinë që gëzojmë sot. Homazhet e tilla vijnë si shenjë respekti për njërën prej figurave më emblematike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.




