Komisioni Europian, nën drejtimin e Ursula von der Leyen, po shqyrton seriozisht prezantimin e një karburanti më ekonomik dhe më miqësor ndaj mjedisit të emërtuar E20. Ky lloj i ri benzine përmban 20 për qind bioetanol, duke dyfishuar kështu normën aktuale të lejuar në tregun europian. Që kjo nismë të bëhet realitet, Brukseli duhet të rishikojë Direktivën e BE-së për Cilësinë e Karburanteve, një hap që pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në pompat e furnizimit në të gjithë kontinentin.
Shtytja kryesore për këtë projekt erdhi nga tre eurodeputetë të grupit CDU, të cilët morën një konfirmim zyrtar përmes një letre nga vetë Presidentja e Komisionit. Në këtë dokument, në të cilin ka pasur akses media gjermane Bild, Von der Leyen vlerëson rolin që biokarburantet me përqindje më të lartë mund të luajnë në dekarbonizimin e flotës ekzistuese të automjeteve. Ajo thekson se kalimi drejt E20 po rishikohet brenda kornizës së re ligjore, duke parë mundësinë e miratimit të tij si një alternativë më të lirë për qytetarët.
Megjithatë, ky tranzicion nuk do të jetë pa sfida, pasi Komisioni po analizon me kujdes pajtueshmërinë e motorëve aktualë me këtë lloj karburanti. Përqindja më e lartë e etanolit mund të kërkojë vëmendje teknike për makinat e vjetra, ndaj ekspertët po vlerësojnë nëse të gjitha mjetet mund ta përdorin atë pa rrezikuar dëmtime. Paralelisht me sigurinë teknike, synimi mbetet nxitja e investimeve në biokarburante të avancuara, të cilat do të ndihmonin në uljen e çmimit të naftës dhe benzinës për konsumatorin final, duke ofruar një zgjidhje të mesme deri në kalimin e plotë drejt makinave elektrike.






