Ballina > Vendi > Bashkëpunim për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme

Bashkëpunim për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme

23 Feb 2026 Vendi

Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës dhe Rilindja Gjelbër kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre përmes nënshkrimit të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi, me synim avancimin e edukimit mjedisor, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër dhe forcimin e qasjeve të qëndrueshme në Kosovë.

Kjo marrëveshje synon krijimin e një partneriteti afatgjatë mes institucionit akademik dhe sektorit joqeveritar, duke ndërlidhur dijen shkencore me veprimin praktik në fushën e mjedisit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Përmes këtij bashkëpunimi, palët do të angazhohen në realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta akademike, profesionale dhe hulumtuese.

Në kuadër të marrëveshjes, studentëve të Fakultetit të Ekonomisë do t’u ofrohen mundësi për trajnime, praktika profesionale dhe përfshirje direkte në iniciativa që lidhen me ekonominë e gjelbër, politikat mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Po ashtu, parashihet zhvillimi i kërkimeve shkencore, organizimi i aktiviteteve edukative dhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet stafit akademik dhe ekspertëve të shoqërisë civile.

Marrëveshja u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Driton Balaj, dhe Drejtori Ekzekutiv i Rilindja Gjelbër, Urim Xharavina, të cilët theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi si një hap konkret drejt ndërtimit të kapaciteteve të reja dhe krijimit të ndikimit pozitiv në komunitet.

Ky bashkëpunim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të urave mes akademisë dhe sektorit joqeveritar, duke kontribuar në përgatitjen e brezave të rinj për sfidat mjedisore dhe ekonomike të së ardhmes, si dhe në ndërtimin e një Kosove më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

Lini një përgjigje