Ballina > Vendi > ASD Peja siguron sensorë për 10 fëmijë me diabet tip 1, me mbështetjen e subvencionit nga Komuna e Pejës

ASD Peja siguron sensorë për 10 fëmijë me diabet tip 1, me mbështetjen e subvencionit nga Komuna e Pejës

18 Jul 2026 Vendi

Dhjetë fëmijë dhe të rinj nga Peja, të diagnostikuar me diabet të tipit 1, janë pajisur me sensorë modernë për monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të glukozës në gjak (CGM), përmes një nisme të realizuar nga Asociacioni i të Sëmurëve nga Diabeti në Pejë (ASD Peja).

Kjo mbështetje është realizuar përmes fondit të subvencionit që ASD Peja përfiton nga Komuna e Pejës, i cili është shfrytëzuar për sigurimin e sensorëve për monitorimin e vazhdueshëm të sheqerit në gjak për fëmijët dhe të rinjtë me diabet të tipit 1.

Sensorët CGM u mundësojnë pacientëve përcjelljen e nivelit të glukozës gjatë gjithë ditës dhe natës, pa pasur nevojë për matje të shpeshta përmes shpimit të gishtit. Kjo teknologji ndihmon në menaxhimin më të mirë të sëmundjes, në reagimin më të shpejtë ndaj ndryshimeve të sheqerit dhe në uljen e rrezikut nga komplikimet.

Drejtori ekzekutiv i ASD Peja, Idriz Ethemi, ka bërë të ditur se qëllimi i kësaj iniciative është lehtësimi i përditshmërisë së fëmijëve me diabet dhe familjeve të tyre, duke u mundësuar një kontroll më të sigurt dhe më efikas të sëmundjes.

Sipas tij, përdorimi i sensorëve nuk ndihmon vetëm në aspektin shëndetësor, por ndikon pozitivisht edhe në jetën sociale të fëmijëve, duke ua lehtësuar pjesëmarrjen në shkollë, aktivitete sportive dhe në përditshmëri.

Rëndësinë e kësaj teknologjie e ka vlerësuar edhe specialistja e endokrinologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Teuta Mulla Goga, e cila ka theksuar se sensorët ofrojnë më shumë siguri për fëmijët dhe më shumë qetësi për prindërit, pasi mundësojnë monitorim të vazhdueshëm të vlerave të glukozës dhe reagim në kohë kur është e nevojshme.

Në ASD Peja janë të regjistruar rreth 70 fëmijë me diabet të tipit 1, ndërsa kjo shoqatë vazhdon të angazhohet për mbështetjen e tyre dhe për sigurimin e kushteve më të mira në menaxhimin e kësaj sëmundjeje.

Sensorët CGM konsiderohen një nga zhvillimet më të rëndësishme në menaxhimin modern të diabetit të tipit 1, pasi ofrojnë të dhëna në kohë reale për nivelin e sheqerit në gjak dhe ndihmojnë pacientët në përshtatjen më të mirë të trajtimit me insulinë.

Mbështetja përmes subvencioneve të Komunës së Pejës ka mundësuar që ASD Peja të vazhdojë me iniciativa konkrete për përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe të rinjve që jetojnë me diabet.

Lini një përgjigje