Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 03:10, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është arratisur i burgosuri me inicialet F.M.
Sipas njoftimit, i dënuari ishte hospitalizuar më 16.02.2026 nga Qendra Korrektuese në Dubravë në repartin e Onkologjisë në QKUK, kati i dytë, dhoma nr. 2, së bashku me pacientë të tjerë.
I njëjti është i dënuar për veprën penale “Vjedhje e Rëndë”. Ai ishte arrestuar më 24.10.2025 dhe po vuante dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh. Sipas të dhënave, ai do të lirohej më 08.06.2029.
Menjëherë pas rastit është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa është themeluar edhe një komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e arratisjes dhe dyshimet për shkelje eventuale nga zyrtarët korrektues përgjegjës për sigurinë dhe prezencën e tij.
Komisioni disiplinor, si masë e menjëhershme, ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues deri në përfundim të procedurave hetimore.
Pas pranimit të raportit nga komisioni hetimor, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga ky proces./ RTKlive/




