Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Prattipati e uroi Kurtin për formimin e Qeverisë dhe për mandatin e ri, ndërsa gjatë takimit u diskutua për raportet bilaterale dhe potencialin e madh të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe investimeve, si dhe në sundimin e ligjit, sigurinë dhe integrimin euro-atlantik.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për urimet dhe bashkëpunimin e deritanishëm me znj. Prattipati dhe Ambasadën amerikane në Kosovë, duke theksuar gatishmërinë e plotë të tij dhe të kabinetit të ri qeveritar për të avancuar më tej marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Kurti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj synimeve për integrim në BE dhe NATO, si dhe ndaj angazhimit për paqe e siguri në rajon, mbi bazën e vlerave të përbashkëta demokratike.




