Njëri nga të akuzuarit është zyrtar korrektues, ndërsa një i burgosur dyshohet se organizoi futjen e drogës në këmbim të parave.
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, me inicialet S.D., T.T. dhe B.T., nën dyshimin për vepra penale që lidhen me shpërndarjen e paautorizuar të substancave narkotike dhe korrupsionin.
Sipas aktakuzës, S.D., në cilësinë e zyrtarit korrektues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se kishte poseduar me qëllim të shpërndarjes 85.61 gramë marihuanë, të cilën tentoi ta fuste brenda institucionit korrektues për një të burgosur. Droga ishte fshehur në trupin e tij dhe u zbulua gjatë një kontrolli të realizuar nga zyrtarët korrektues, pas pranimit të informatave operative.
Prokuroria bën të ditur se T.T., i cili në kohën e ngjarjes ishte duke vuajtur dënimin në Burgun e Dubravës, dyshohet se organizoi dhe koordinoi futjen e substancës narkotike në institucion, duke i nxitur të pandehurit e tjerë ta kryenin veprën në këmbim të një shpërblimi financiar.
Ndërkohë, B.T. akuzohet se siguroi dhe dorëzoi substancën narkotike me qëllim që ajo të futej në burg, si dhe i ofroi 1 mijë euro zyrtarit korrektues për ta nxitur të vepronte në kundërshtim me detyrën zyrtare dhe të mundësonte futjen e narkotikëve.
S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa T.T. akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre penale. B.T. përballet gjithashtu edhe me akuzën për “Dhënie të ryshfetit”.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që, pas administrimit të provave dhe zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Për zyrtarin korrektues S.D., Prokuroria ka kërkuar gjithashtu shqiptimin e dënimit plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.




