Ballina > Vendi > 39 mijë nxënës më pak në Kosovë, mijëra mësimdhënës rrezikojnë të mbesin pa punë

39 mijë nxënës më pak në Kosovë, mijëra mësimdhënës rrezikojnë të mbesin pa punë

09 Mar 2026 Vendi

Numri i nxënësve në shkollat e Kosovës po shënon rënie të vazhdueshme. Vetëm nga viti 2022 deri në vitin 2026, në sistemin arsimor ka rreth 39 mijë nxënës më pak, sipas të dhënave të Qendrës për Arsim të Kosovës.

Kjo rënie e numrit të nxënësve ka krijuar një situatë tjetër në sistemin arsimor, rritjen e numrit të mësimdhënësve në raport me nxënësit.

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se aktualisht në shkolla janë mbi 29 mijë mësimdhënës, ndërsa sipas formulës së financimit do të duhej të ishin rreth 26 mijë.

“Aty hyn edhe stafi administrativ dhe teknik. Për momentin janë mbi 29 mijë mësimdhënës. Nëse do të aplikohej në mënyrë strikte formula e financimit, do të duhej të ishin rreth 26 mijë, që do të thotë se ka një tepricë prej rreth 3 mijë mësimdhënësish. Por kjo formulë nuk aplikohet plotësisht dhe kjo paraqet problem për komunat, pasi një pjesë të pagave duhet ta mbulojnë nga burimet e tyre”, ka deklaruar Pupovci.

Sipas tij, për të shmangur shkëputjen e kontratave të mësimdhënësve duhet të merren disa masa alternative.

“Duhet shfrytëzuar mundësia kur mësimdhënësit pensionohen, të bëhet bashkimi i klasave, apo integrimi i shkollave të vogla në shkolla më të mëdha. Gjithashtu, mësimdhënësve mund t’u jepen role shtesë brenda shkollës, si këshilltarë karriere apo angazhime në aktivitete të ndryshme”, tha ai.

Nga ana tjetër, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kërkon analizë të thellë para çdo vendimi, duke insistuar që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa punë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, theksoi se duhet të shqyrtohen dy çështje kryesore: çfarë ndodh me nxënësit e shkollave që mund të mbyllen dhe çfarë me mësimdhënësit e tyre.

“Ne angazhohemi që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa punë. Një model mund të jetë ai i Prishtinës, ku zbatohet mësimi tërëditor dhe një pjesë e mësimdhënësve që nuk kanë pasur normë janë angazhuar në aktivitete të ndryshme”, tha Jashari.

Sipas Qendrës për Arsim, që nga viti 2009 është aplikuar formula e financimit një mësimdhënës për 21.3 nxënës, por statistikat aktuale tregojnë se raporti ka rënë në një mësimdhënës për rreth 13 nxënës.

Ndërkohë, drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega, ekskluzivisht për INKLIK ka deklaruar se vetëm në këtë komunë 194 mësimdhënës konsiderohen tepricë teknologjike.

Në rast se ndodh largimi i ndonjë mësimdhënësi nga sistemi arsimor, ligji parasheh që përzgjedhja të bëhet në bazë të performancës dhe jo të stazhit të punës.

Lini një përgjigje