Sot shënohet 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorit të kombit, Shpëtim Bojku, i cili dha jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai mbetet një nga figurat që simbolizon sakrificën më të lartë për atdheun, në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë.
27 vite më pas, dhimbja për mungesën e tij mbetet e gjallë, por edhe krenaria për veprën e tij është po aq e fortë. Familjarët, miqtë dhe bashkëluftëtarët e kujtojnë sot me respekt dhe mirënjohje të thellë.
Në këtë përvjetor, vëllai i tij, Veprimi, ka ndarë një mesazh prekës:
“Sot është përvjetori i 27-të pa praninë tënde!!! Nga ai moment, për ne çdo ditë është përvjetor, çdo ditë është kujtim, çdo ditë dhimbje, çdo ditë është mirënjohje, çdo ditë krenari e nder. Dhe kështu do jetë për sot e shumë mote! I përjetshëm qoftë kujtimi për ty e të gjithë shokët që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë që gëzojmë ende sot!”
Sakrifica e Shpëtim Bojkut dhe e të gjithë dëshmorëve mbetet themeli mbi të cilin qëndron liria jonë sot. Kujtimi i tyre do të jetojë përherë në zemrat e shqiptarëve.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit!





