Sot bëhen 27 vite nga ceremonia e rivarrimit të Dëshmorit të Kombit, Shpëtim Bojku.
Në këtë përvjetor të dhimbshëm, vëllai i tij, Veprim Bojku, ka ndarë një mesazh tejet emocional, duke kujtuar të vëllanë dhe boshllëkun që la pas humbja e tij.
Veprim Bojku rrëfen se, në ditën e përcjelljes së fundit, ishte ende i ri dhe nuk e kuptonte plotësisht se çfarë nënkuptonte humbja e një vëllai.
“27 vite nga ajo ditë kur të përcollëm për herë të fundit, pa e kuptuar ende se çfarë do të ishte vdekja për të mos u harruar kurrë! Atëherë qava për ty, por nuk e dija pse dhimbja ishte aq e madhe. Nuk e dija se ajo ditë do të mbetej përgjithmonë brenda meje”, shkruan ai.
Sot, pas 27 vitesh, Bojku thotë se e kupton më mirë peshën e asaj humbjeje.
“Sot e di çfarë do të thotë të humbasësh një vëlla. Të rritesh me një mungesë që nuk mbushet kurrë. Të kalojnë vitet, të ndryshojë jeta, por brenda teje të mbetet gjithmonë mungesa e vëllait të shtrenjtë”, shprehet ai.
Në kujtimin e tij, Veprim Bojku ndalet edhe te fëmijëria dhe te kujtimet që nuk pati mundësinë t’i përjetojë si shumë të tjerë.
“Unë nuk pata fatin ta kisha një festë abetare, një kujtim të bukur fëmijërie si shumë të tjerë. Por pata diçka tjetër. Pata ty!”, shkruan ai.
Për të, kujtimi i Shpëtimit është ruajtur ndër vite jo vetëm në zemër, por edhe përmes përpjekjes që emri dhe vepra e tij të mos harrohen.
“Nëse gjithë këto vite kam bërë diçka për ty, nëse kam folur për ty, nëse kam ruajtur emrin tënd, nëse kam ardhur përsëri e përsëri te varri yt, është sepse dua që bota të mos të harrojë”, shkruan Veprim Bojku.
Ai thekson se Shpëtimi nuk është thjesht një emër i skalitur në një gur përkujtimor.
“Ti nuk je vetëm një emër i skalitur në gur. Ti je im vëlla. Dhe për mua, do të mbetesh gjithmonë Shpëtim, o vlla.”
Në fund, Veprim Bojku shpreh mallin dhe dhimbjen që, pavarësisht kalimit të viteve, mbeten të pandryshuara.
“27 vjet kanë kaluar, por për mua, ajo ditë nuk është larguar kurrë. Më mungon sa s’ka dhe sa të jem gjallë, do të të kujtoj”, përfundon ai.
27 vite më pas, kujtimi i Dëshmorit të Kombit, Shpëtim Bojku, vazhdon të jetojë në familjen e tij dhe në kujtesën e atyre që e njohën.





