FC Prishtina ka zyrtarizuar angazhimin e Profesor Malsor Gjonbalajt në një rol të rëndësishëm drejtues brenda klubit.
Përmes një njoftimi zyrtar, klubi bardhekaltër bëri të ditur se ka arritur marrëveshje me Gjonbalajn, i cili do të shërbejë si udhëheqës i Këshillit Profesional të FC Prishtina.
Sipas klubit, përvoja dhe ekspertiza e tij do të kenë një rol kyç në hartimin e planeve të përgjithshme zhvillimore, me fokus të veçantë në avancimin e Akademisë së të Rinjve dhe krijimin e një strukture më të fortë për të ardhmen e klubit.
“Me përvojën dhe ekspertizën e tij, ai do të luajë një rol të rëndësishëm në hartimin e planeve të përgjithshme zhvillimore të klubit, me fokus të veçantë në avancimin e Akademisë së të Rinjve. Jemi të bindur se angazhimi dhe vizioni i tij do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të FC Prishtina dhe në realizimin e objektivave tona afatgjata”, thuhet në njoftimin e klubit.
FC Prishtina i ka uruar mirëseardhje profesor Gjonbalajt, duke e cilësuar rikthimin e tij si një hap të rëndësishëm për realizimin e objektivave sportive dhe zhvillimore të klubit.
“Mirë se u ktheve në familjen bardhekaltër, Prof. Gjonbalaj!”, përfundon njoftimi i FC Prishtinës.





