Në komunën e Ulqinit vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Vladimir, pranë Shasit, ndërsa ekipet e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit presin mbështetje nga ajri për shuarjen e flakëve.
Sipas zjarrfikësit Ylber Gjeka, situata këtë mëngjes është disi më e qetë krahasuar me natën e kaluar, kur ekipet u përballën me zjarre në disa lokacione njëkohësisht.
“Gjatë natës situata ishte e vështirë. U angazhuan dy automjete dhe rreth dhjetë zjarrfikës. Ishte kritike, pasi zjarret po shuheshin në pesë apo gjashtë vende njëkohësisht. Ndërhyrjet zgjatën deri rreth orës 02:00, ndërsa më pas situata u qetësua disi”, deklaroi Gjeka për RTCG.
Aktualisht, sipas tij, situata është e qetë dhe zjarri aktiv mbetet vetëm në zonën e Vladimir-it, ku pritet ndërhyrja e mjeteve ajrore.
Ekipet e zjarrfikësve dhe banorët e disa vendbanimeve kanë qëndruar në gatishmëri për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt shtëpive dhe objekteve.
Në zonën e Herceg Novit, zjarri gjatë natës u përhap në drejtim të Zelenikës, ndërsa në Ulqin vatra aktive u raportuan në fshatrat Gaç dhe Klezna, me flakët që u përhapën edhe drejt Shasit. Për shkak të situatës, në Ulqin u mblodh edhe Shtabi i Krizave.
Drejtori i Drejtoratit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Miodrag Bešović, ministri i Punëve të Brendshme, Danilo Šaranović, dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, kanë qenë në terren në zonën e Briskës Gorës.
Šaranović ka deklaruar se situata mbetet sfiduese dhe se ekziston dyshimi që disa prej zjarreve mund të jenë shkaktuar qëllimisht. Sipas tij, fakti që brenda një rrezeje prej disa kilometrash janë evidentuar tri vatra zjarri ka ngritur dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme. Për këtë arsye, në hetime është përfshirë edhe Policia.
Ndërkohë, Nimanbegu tha se sistemi i reagimit është treguar efikas, por theksoi se zjarri pranë linjave të tensionit të lartë ka shkaktuar probleme edhe me furnizimin me ujë, pasi linjat furnizojnë pompat e ujësjellësit. Për këtë arsye, një pjesë e qytetit ka mbetur pa ujë dhe qytetarëve u është bërë thirrje që ta përdorin atë me racionalitet.
Në Herceg Novi, rreth 100 zjarrfikës ishin angazhuar gjatë natës në pikat kritike. Gjatë ditës, në shuarjen e zjarreve kanë ndihmuar edhe mjetet ajrore. Helikopterët e Ushtrisë së Malit të Zi kanë hedhur rreth 100 tonë ujë në afërsisht 90 fluturime.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mjetet ajrore gjatë ditës së djeshme kanë kryer gjithsej 137 fluturime dhe kanë hedhur 282 tonë ujë mbi zonat e përfshira nga zjarret.
Për këtë mëngjes është paralajmëruar angazhimi i gjashtë mjeteve ajrore në zonat e zjarrit në Bijela dhe Ulqin, në varësi të situatës në terren.
Zjarret në disa pjesë të bregdetit malazez mbeten nën monitorim, ndërsa zjarrfikësit dhe banorët vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.




