Ballina > Rajoni > Zjarr i madh në ishullin Vis të Kroacisë, mbi 100 zjarrfikës dhe katër kanaderë në luftë me flakët

Zjarr i madh në ishullin Vis të Kroacisë, mbi 100 zjarrfikës dhe katër kanaderë në luftë me flakët

29 Jun 2026 Rajoni

Një zjarr i madh shpërtheu mbrëmjen e së dielës në ishullin Vis të Kroacisë, duke përfshirë pyje me pisha dhe shkurre në zonën e Komizhës, përgjatë rrugës që çon drejt Podhumljës.

Menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, në terren u angazhuan të gjitha forcat zjarrfikëse të disponueshme të ishullit. Në operacion morën pjesë zjarrfikësit e njësive të Komizhës dhe Visit, me gjithsej 15 automjete dhe 70 zjarrfikës.

Sipas autoriteteve kroate, flakët gjatë natës iu afruan disa banesave, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur ndalimin e përhapjes së tyre, duke shmangur rrezikun për banorët.

Për të përforcuar operacionin, të hënën në mëngjes u angazhuan tre avionë zjarrfikës të tipit kanader, ndërsa më vonë iu bashkua edhe një i katërt. Po ashtu, me vendim të komandantit kryesor të zjarrfikësve, nga Spliti drejt ishullit u dërguan tetë automjete të tjera dhe 34 zjarrfikës.

Autoritetet bëjnë të ditur se zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk ka më vatra të hapura, por operacioni vazhdon për shuarjen e plotë të vatrave të nxehta, me qëllim parandalimin e riaktivizimit të flakëve. Zjarrfikësit pritet të qëndrojnë në terren edhe për disa ditë për shkak të rrezikut të rikthimit të zjarrit.

Lini një përgjigje