Ballina > Aktualitet > Zgjedhja e Presidentit, bojkoti i deputetëve, a e ndal shtetin?

Zgjedhja e Presidentit, bojkoti i deputetëve, a e ndal shtetin?

02 Mar 2026 Aktualitet

Autor: Zyhdi Hajzeri – Jurist

Debati për zgjedhjen e Presidentit këto ditë është bërë i ndërlikuar pa nevojë. Disa po tentojnë ta paraqesin çështjen sikur Kushtetuta “ndalet”, “pret” ose “pezullohet” nëse deputetët nuk hyjnë në sallë ose nuk votojnë. Kjo logjikë, nëse pranohet, është më e rrezikshme sesa duket në shikim të parë.

Le ta themi troç: Kushtetuta nuk është derë që e mbyll kush të dojë dhe kur t’i teket. Ajo nuk funksionon me inate politike, as me bojkot.

Sipas Kushtetutës, Presidenti zgjidhet në tri raunde. Dy herët e para duhen 80 vota, herën e tretë duhen 61 vota pro. Ka kaq. Kushtetuta nuk pyet pse nuk u arritën votat. Nuk pyet a munguan deputetët, a dolën për kafe, a bojkotuan, a u hidhëruan. Pyet vetëm një gjë: a u zgjodh Presidenti apo jo?

Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë Kushtetuta e ka paraparë çfarë ndodh më pas. Kuvendi shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje të reja. Pikë. Nuk ka fjali të vogla, nuk ka fusnota, nuk ka përjashtime “veç kësaj here”.

Ideja se mospjesëmarrja e deputetëve e ndal këtë proces është një keq lexim serioz i Kushtetutës. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë do të thoshte se një grup deputetësh mund ta mbajnë shtetin peng pafundësisht, thjesht duke mos shkuar në sallë. Sot për Presidentin, nesër për Qeverinë, pasnesër për çdo vendim tjetër. Kjo nuk është demokraci, kjo është bllokadë.

Këtu vlen shumë të kujtohet çfarë ka thënë vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës në aktgjykimin e njohur KO 29/11. Gjykata aty ka qenë shumë e qartë: zgjedhja e Presidentit është proces kushtetues serioz dhe nuk guxon të shndërrohet në lojë procedurash apo manovrash politike. Deputetët kanë obligim kushtetues të marrin pjesë dhe të votojnë. Mospjesëmarrja nuk është “neutralitet”, por shmangie nga përgjegjësia.

Gjykata nuk ka thënë askund se duke mos marrë pjesë deputetët, procesi ndalet. Përkundrazi, ajo ka theksuar se procedurat nuk mund të përdoren për ta bllokuar vullnetin kushtetues. Me fjalë popullore: askush s’ka të drejtë ta mbajë Kushtetutën peng.

Edhe Rregullorja e Kuvendit shpesh po keqinterpretohet. Po, rregullorja mund të thotë sa deputetë duhet të jenë në sallë në raundin e tretë, si administrohet votimi, si numërohen fletët. Por rregullorja nuk është mbi Kushtetutën. Ajo është letër e brendshme e Kuvendit, ndërsa Kushtetuta është ligji më i lartë i shtetit.

Nëse rregullorja do të interpretohej ashtu që e zhbën logjikën kushtetuese, atëherë ajo bie poshtë. Sepse në Kosovë Presidenti nuk zgjidhet me rregullore, por me Kushtetutë.

Tani të flasim drejt e pa frikë: nëse tri raundet kalojnë dhe Presidenti nuk zgjidhet, s’ka rëndësi a munguan deputetët apo votuan kundër. Procesi ka dështuar. Dhe kur procesi dështon, Kushtetuta e ka paraparë zgjidhjen: zgjedhje të reja. Nuk ka “pritje”, nuk ka “pezullim”, nuk ka “hajde edhe një muaj”.

Ideja se vendi nuk shkon në zgjedhje për shkak se deputetët nuk kanë marrë pjesë, në thelb i shpërblen ata që nuk bëjnë asgjë. I jep fuqi mosveprimit. Dhe kjo është krejt e kundërta e shtetit të së drejtës.

Në fund të ditës, problemi nuk është juridik, por politik. Pyetja është shumë e thjeshtë: a duam një Kushtetutë që funksionon edhe kur politikanët sillen keq, apo një Kushtetutë që ndalet sapo dikush vendos të mos hyjë në sallë?

Nëse pranojmë këtë të dytën, atëherë nuk kemi më shtet funksional, por një Kushtetutë që varet nga humori i deputetëve. Dhe kjo është gjëja e fundit që i duhet Kosovës.

Lini një përgjigje