Ballina > Vendi > Vuçetaj dhe Haxhiaj dakordohen për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në Pejë

Vuçetaj dhe Haxhiaj dakordohen për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në Pejë

30 Jan 2026 Vendi

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, së bashku me zëvendëskryeprokuroren, znj. Arlinda Nallbani–Gacaferri, kanë pritur sot në takim Kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë, z. Shemsedin Haxhiaj, si dhe nënkryetarin e kësaj gjykate, z. Armend Lokaj.

Takimi u zhvillua me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të informacioneve mbi çështjet me interes të përbashkët, si dhe identifikimit të fushave ku nevojitet koordinim më i madh institucional mes Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Pejë.

Gjatë takimit, palët diskutuan për rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm dhe koordinimit efikas, si elemente kyçe për përmbushjen sa më profesionale dhe efektive të përgjegjësive ligjore që burojnë nga roli i dy institucioneve në sistemin e drejtësisë.

Kryeprokurorja Vuçetaj dhe Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, z. Haxhiaj, u pajtuan se forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional është i domosdoshëm për rritjen e efikasitetit në trajtimin e lëndëve, respektimin e afateve ligjore dhe garantimin e funksionimit sa më të mirë të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

Takimi u vlerësua si konstruktiv dhe në frymë bashkëpunimi, duke riafirmuar gatishmërinë e të dy institucioneve për të vazhduar komunikimin dhe koordinimin institucional në shërbim të sundimit të ligjit dhe interesit publik.

Lini një përgjigje