Ballina > Aktualitet > Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Kosta Rikës

Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Kosta Rikës

24 Feb 2026 Aktualitet

Presidentja Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Republikës së Kosta Rikës në Kosovë, Olga M. Sauma Uribe.

Me këtë rast, Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores dhe e përgëzoi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i ambasadores do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Presidentja  e vendit shprehu mirënjohje për mbështetjen e hershme dhe parimore të Kosta Rikës për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo vuri në pah se Kosova i vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me shtetet e Amerikës Latine dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me vendet e këtij rajoni në fusha me interes të ndërsjellë.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në diplomaci, ekonomi dhe veçanërisht në turizëm.

Osmani theksoi  rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet dy vendeve, si hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit midis qytetarëve tanë, bizneseve, si dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Në përmbyllje, e para e shtetit riafirmoi përkushtimin e Kosovës për paqe dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me Kosta Rikën dhe me shtetet e tjera të Amerikës Latine në avancimin e prioriteteve të përbashkëta për paqe, demokraci dhe zhvillim.

Lini një përgjigje