Grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Qytetare URA në Ulqin do të dorëzojë të hënën një propozim për plotësimin e rendit të ditës në mbledhjen e Kuvendit Komunal, me kërkesën që çmimorja e re për largimin e mbeturinave komunale të shfuqizohet.
Kryetari i degës së URA-së në Ulqin, Omer Bajraktari, tha se faturimi duhet të vazhdojë sipas çmimores së vjetër derisa të përcaktohet një metodologji më e drejtë dhe më e arsyeshme për llogaritjen e çmimeve.
Sipas tij, qytetarët ditët e fundit janë përballur me fatura jashtëzakonisht të larta për shërbimin e largimit të mbeturinave, të lëshuara nga ndërmarrja “Veprimtaritë Komunale – Ulqin”.
Bajraktari rikujtoi se URA kishte paralajmëruar për pasojat e miratimit të çmimores së re që në kohën kur ajo u votua në Kuvendin Komunal.
“Anëtari ynë i Kuvendit, Arian Murati, argumentoi se kjo çmimore përbën një barrë të papranueshme dhe një padrejtësi ndaj qytetarëve të Ulqinit. Fatkeqësisht, pushteti nuk i mori parasysh këto paralajmërime, ndërsa tani qytetarëve u kanë mbërritur faturat shumë të larta”, deklaroi ai.
Bajraktari theksoi se Ulqini nuk është “arkë partiake” dhe se qytetarët nuk duhet të paguajnë pasojat e, sipas tij, mosveprimit dhe interesave politike.
Ai shtoi se URA do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve dhe do të kërkojë që çdo vendim që prek buxhetin familjar të jetë i drejtë, transparent dhe në interes të qytetarëve.





