Ballina > Rajoni > Ulqin: Zgjerimi i kanalizimit nxjerr në dritë mure të shekullit XIX

Ulqin: Zgjerimi i kanalizimit nxjerr në dritë mure të shekullit XIX

13 Apr 2026 Rajoni

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik ka ndërprerë përkohësisht punimet në rrjetin e kanalizimit në rrugën Hafiz Ali Ulçinaku. Gjatë punimeve, ekipi i angazhuar ka hasur në mure të vjetra, të cilat pas verifikimit rezultuan se i përkasin shekullit XIX.

Arkeologu Anton Lulgjuraj, në një deklaratë për Radio Ulqinin, theksoi se ndalimi i punimeve ishte i domosdoshëm për të mbrojtur dhe studiuar këto struktura historike. “Ky zbulim ka rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të qytetit,” u shpreh ai.

Lulgjuraj njoftoi që në lidhje me këto gjetje kanë njoftuar Entin Republikan për mbrojtjen e monumenteve të cilët do të vendosin se në çfarë drejtimi do të shkojnë punimet në këtë pjesë.

Sipas Lulgjuraj “Punimet do të duhej të jenë ndalur vetëm në zonën ku ndodhen muret, ndërsa në pjesët e tjera të rrugës ato mund të vazhdojnë normalisht”.

Autoritetet pritet të marrin masa për të siguruar mbrojtjen e plotë të strukturave të gjetura, duke balancuar nevojat e zhvillimit urban me ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Në rast se konstatohet se ky mur duhet të ruhet,ai do të mbulohet me shtresë betoni dhe asfallti ndërsa linja e kanalizimeve do të devijohet”shtoi Arkeologu Anton Lulgjuraj.

Lini një përgjigje