Ballina > Rajoni > Ulqin: Shtetas i Kosovës dyshohet se detyroi fëmijët të lypin, kallëzim për trafikim me njerëz

Ulqin: Shtetas i Kosovës dyshohet se detyroi fëmijët të lypin, kallëzim për trafikim me njerëz

26 Feb 2026 Rajoni

Policia në Ulqin ka ngritur kallëzim penal ndaj R.N. (44), shtetas i Kosovës, i cili dyshohet se ka detyruar fëmijët e tij të mitur të merren me lypje dhe t’ia dorëzojnë atij të gjitha të hollat e mbledhura.

Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët e Sektorit të Kriminalistikës në kuadër të Stacionit të Sigurisë në Ulqin, duke vepruar mbi bazën e informacioneve operative për parandalimin e punës së detyruar të fëmijëve, kanë hasur në lagjen Kruçë, pranë urës, tre të mitur të moshës 15, 11 dhe 8 vjeç, pa mbikëqyrje prindërore.

Gjatë verifikimit është konstatuar se 15-vjeçari po merrej me lypje, ndërsa të tre fëmijët janë shoqëruar në ambientet zyrtare për procedura të mëtejshme.

Hetimet e mëtejshme çuan në dyshimin se babai i tyre, R.N., duke i mbajtur fëmijët në lajthitje dhe duke shfrytëzuar besimin, varësinë dhe kushtet e vështira jetësore, i kishte dërguar ata në Ulqin me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, duke u kërkuar të lypnin dhe t’ia dorëzonin atij të gjitha mjetet e siguruara.

Rasti është referuar te Prokurori i Shtetit në Prokurorinë e Lartë në Podgoricë, me urdhrin e të cilit ndaj të dyshuarit është paraqitur kallëzim penal për veprën penale “trafikim me njerëz”.

Po ashtu, për rastin janë njoftuar edhe përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale në Ulqin, të cilët do të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen dhe trajtimin e mëtejshëm të fëmijëve.

Lini një përgjigje